Ankesa në të gjitha institucionet, por në vend të përgjigjeve, komuna kërcënohet që të heshtë
Rreth 6500 hektarë pyje në Komunën e Pogonit, që janë cilësuar me ligj “zonë e mbrojtur” po shkatërrohen nga një firmë private, ndërkohë që shqetësimi i kryetarit të komunës, i ngritur në të gjitha institucionet shtetërore, duket se ka rënë në vesh të shurdhët. Alarmi është dhënë prej më shumë se dy javësh, kur firma private ka nisur aktivitetin e saj, duke u bazuar në një licencë të përfituar me firmën e një kryetari fshati, që është në kundërshtim me ligjin, por kryetarit të komunës nuk i ka ardhur asnjë institucion në ndihmë. Madje, kryekomunari Thanas Qiro pretendon se jo vetëm që nuk është ndërprerë prerja e paligjshme e pyjeve, por edhe është kërcënuar nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe ajo e Shërbimit Pyjor në Gjirokastër. Po ashtu, ai shprehet se të gjitha institucionet shtetërore, deri te ministri i Mjedisit, Lefter Koka, heshtin për këtë problem dhe për këtë arsye i është drejtuar Kryeministrit.
Sipas të dhënave, prerja e pyjeve ka nisur rreth dy javë më parë, pikërisht në zonën e fshatit Hllomo, pikërisht në vendin e quajtur “Pllaja Hllomo”. Komuna e Pogonit në Qarkun e Gjirokastrës, që ka nën juridiksion edhe këtë fshat, sapo është vënë në dijeni, ka shkuar për të kontrolluar veprimtarinë, që sipas tyre është e paligjshme, por firma private, e cila po zhvillon këtë aktivitet, i ka paraqitur një kontratë, sipas të cilës është lejuar për prerjen e pyjeve nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe Drejtoria e Shërbimit Pyjor Gjirokastër, bazuar në një kontratë të firmosur nga kryetari i fshatit Hllomo, Theodhori Qehaja. Por, kryetari i Komunës Pogon, Thanas Qiro, ka deklaruar se kjo kontratë bie në kundërshtim me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe Vendimin e Këshillit të Komunës, nr. 14 të vitit 2007 “Për heqjen e kompetencave të Kryetarëve të Këshillit të Fshatit për lidhje kontrate me të tretët, pasi këtë kompetencë e ka vetëm Këshilli i Komunës.
Në këto kushte, ai ka kërkuar ndërprerjen e prerjes së pyjeve, por kjo nuk është arritur edhe pas një sërë ankesash, si në polici, ashtu edhe në institucionet e tjera të mbrojtjes së mjedisit.
Kryetari i komunës ka shpjeguar për Shqip se pyjet në Pogon zënë një sipërfaqe të konsiderueshme, rreth 6500 hektarë. E gjithë kjo sipërfaqe, që në vitin 2008 është kthyer në pronësi të Komunës Pogon dhe ekziston dhe një vendim i qeverisë për pyjet, sipas të cilit, pyjet në këtë komunë janë “zonë e mbrojtur”. “Në këtë zonë nuk lejohet shfrytëzimi i tyre, sepse komuna është në programin e Turizmit Alternativ Malor”, deklaron Thanas Qiro. Madje, ai shton se parcelat që priten në fshatin Hllomo pretendohet se janë pronë private, mirëpo, në fakt nuk kanë dokumentacionin përkatës dhe asnjë certifikatë pronësie.
Duke u nisur nga këto shkelje, kreu i komunës ka kërkuar më shumë informacion dhe ka rezultuar se kryetari i fshatit Hllomo e ka marrë këtë vendim i vetëm, pasi këshilltarët e fshatit dhe banorët e tij janë kundër shfrytëzimit të pyjeve. “Madje, ata shprehen edhe kundër kryetarit të fshatit, i cili ka vënë veton në dhënien e pyjeve për shfrytëzim. Prerja e druve në këtë kohë është një krim dhe masakër që kryhet nga firma, pasi nuk është periudha e tyre”, shpjegoi Qiro. Ai ka shpjeguar më tej se për këtë problem i është drejtuar me shkresa zyrtare Drejtorisë së Mjedisit në Gjirokastër, Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, Prefekturës së Gjirokastrës dhe ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. “Por, nga asnjë prej këtyre institucioneve nuk kam marrë asnjë përgjigje. Përkundrazi, na kërcënojnë që të mbyllim gojën, pikërisht Drejtoria Rajonale e Mjedisit dhe ajo e Shërbimit Pyjor”, shton ai. Kryekomunari thotë gjithashtu se ka kërkuar edhe ndihmën e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, që ka dërguar disa herë punonjësit e policisë së zonës për pezullimin e punimeve. Duke parë se prerja e pyjeve vazhdon duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm dhe ende nuk ka asnjë reagim, Komuna e Pogonit i është drejtuar edhe Kryeministrit Rama. Kreut të qeverisë i është sqaruar e gjithë situata dhe është kërkuar ndërhyrja e tij, i cili dje ka publikuar miratimin e projektligjit në fushën e mjedisit. Re. Rre.
Απο την εφημερηδα SHQIP
http://gazeta-shqip.com/lajme/2014/05/01/nis-shkaterrimi-pyjeve-ne-pogon-institucionet-heshtin/
Δεν υπάρχουν σχόλια:
Δημοσίευση σχολίου